Ringritja pas tërmetit dhe përgatitja për fatkeqësitë natyrore, fokusi i aktivistëve në Durrës

Pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019 gjenden ende lehtësisht në qytetin e Durrësit, i cili vijon procesin e ringritjes midis sfidave dhe nevojave për strehim.

Bashkëpunimi midis komunitetit është vlerësuar si një hallkë e rëndësishme për përshpejtimin e procesit të rindërtimit dhe aktivistët lokal në Durrës kanë ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar këtë lidhje dhe përballimin e sfidave të ngjashme.

“Fokusi ishte ndërgjegjësimi i komuniteteve për reagimin ndaj fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile”, rrëfen Klaudio Hyseni, drejtor ekzekutiv i Qendrës Durrësi Aktiv.

“Pra synohej angazhimi i një komuniteti që të jetë i përgatitur dhe të ndërveprojë në rastin e fatkeqësive natyrore. Kjo u arrit në ndërveprim me institucionet, si me Drejtorinë e Emergjencave Civile në Prefekturën Durrës dhe me Klubin Rinor për Angazhimin Komunitar (KRAK)”, shtoi Hyseni.

Përmes Qendrës Durrësi Aktiv janë ndërmarrë disa aktivitete dhe nisma në kuadër të projektit “Reagimi i Mbrojtjes Sociale ndaj Tërmeteve (ESPR)”, i zbatuar nga PNUD Shqipëri dhe i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, Qeveria e Finlandës dhe Qeveria e Norvegjisë.

Përgjatë iniciativës u krijua platforma “jamvullnetar.al“, e cila synon të nxisi angazhimin e komunitetit dhe ndërlidhjen midis nismave që kanë në fokus vullnetarizmin. Aktivistët dhe Organizatat Jo-Qeveritare mund të krijojnë aty profilin e tyre dhe të publikojnë nismat që ndërmarrin në qytetin e Durrësit.

Deri më tani platforma numëron 17 vullnetar që janë regjistruar dhe 9 organizata. Nga ana tjetër 5 iniciativa kanë përfunduar dhe 2 të tjera pritet të nisin.

Të rinjtë e angazhuar realizuan edhe një video me mesazhe për aktivizmin, duke bërë thirrje që komuniteti të shtojë sa më shumë bashkëpunimin dhe të vlerësojnë të mirat që vullnetarizmi sjell për shoqërinë.

“Aktivitetet kryesore ishin ndërgjegjësimi nëpërmjet fotografisë, ku aktivistë të ndryshëm shprehën pasojat e tërmetit e të pandemisë në këto 3 vite dhe domosdoshmëria për tu bërë bashkë në reagimin ndaj fatkeqësive natyrore”, përfundon Klaudio Hyseni.

Të rinjtë e qytetit të Durrësit çelën mbrëmjen e 20 majit një ekspozitë fotografike kushtuar jetës social-ekonomike dy vjet pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, e ndjekur edhe nga pandemia e COVID-19.

Të rinjtë e qytetit të Durrësit çelën ekspozitën fotografike kushtuar jetës social-ekonomike dy vjet pas krizave natyrore. Foto Geri Emiri_ Media Amfora

Nisma e Klubit Rinor për Angazhimin Komunitar (KRAK) synonte të përcillte përmes fotove këndvështrime të ndryshme të ndikimit në jetën e qytetarëve të tërmetit të nëntorit 2019 dhe pandemisë së COVID-19, duke synuar edhe të krijojë një ide më të plotë të transformimeve të sjella nga 2 fenomenet natyrore.

Ndërsa më herët më 22 prill në Ditën e Tokës, vullnetarët e KRAK u bashkuan me aktivistë dhe dashamirës të biçikletës që pedaluan në rrugët e qytetit, duke shpërndarë mesazhin për lëvizjen e gjelbër, një rikthim i sensibilizimit ndaj mjedisit, në qytetin që përballet ende me pasojat e tërmetit të nëntorit.

 

Monika Zyka duke pedaluar me mesazhe sensibilizuese për mbrojtjen e mjedisit. Foto Geri Emiri_ Media Amfora

Aktiviteti u realizua nga Qendra Durrësi Aktiv, Grupimi Informal Bicycle Durrës, Bashkia Durrës dhe BYCS Durrës (“Kryebashkiaku i Biçikletave në Qytetin e Durrësit”). Të rinjtë përgjatë shpalosën edhe studime e broshura informuese për qytetarët, me qëllim njohjen e ndryshimeve klimatike dhe kontributin e secilit për zbutjen e pasojave të tyre.

Së fundmi realizimi i një vepre arti të konceptuar si murale me reliev shërben si një pikë takimi e individëve të ndryshëm, por që i bashkon dëshira për të qenë vullnetar.

Ajo përfaqëson logon e platformës komunitare “Jamvullnetar.al” dhe synon të nxisi ndjenjën e vullnetarizmit dhe të përkatësisë tek komuniteti në Durrës.

Muralja e quajtur “Unë jam vullnetar” në pallatin përbri Bulevardit Dyrrah, Durrës. Foto Geri Emiri_ Media Amfora

Angazhimi i vullnetarëve për komunitetin ku banojnë synon edhe kontributin në plotësimin e 17 Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ), të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më 25 shtator 2015.

OZHQ-të janë plani i krijuar për të trajtuar sfidat globale dhe për të arritur një të ardhme më të mirë, me synimin kryesor për t’i dhënë fund varfërisë dhe privimeve të tjera, përmes zhvillimeve dhe ndërmarrjen e veprimeve strategjike që përmirësojnë shëndetin, arsimin, zvogëlojnë pabarazinë dhe nxisin rritjen ekonomike.

Autor: Geri Emiri

Mesazhet e Ambasadorëve për Angazhimin e Komunitetit në Durrës – JamVullnetar.al

Mirë se erdhët në