Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, më 25 shtator 2015, miratoi Agjendën 2030 e cila përcakton shtatëmbëdhjetë Objektiva për Zhvillim të Qëndrueshëm. Agjenda 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm, ofron një plan të përbashkët për paqen dhe prosperitetin për njerëzit dhe planetin tonë, për tani dhe në të ardhmen. Në zemër të saj janë 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të cilat janë një thirrje urgjente për veprim për të gjitha vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim për një partneritet global në zbatimin e tyre.
Zhvillimi i qëndrueshëm është një proces shoqëror që integron objektivat sociale, ekonomike dhe mjedisore për të përmbushur nevojat aktuale të qenieve njerëzore pa kompromentuar nevojat e brezave të ardhshëm. Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ-të), janë plani i krijuar për të trajtuar sfidat globale dhe për të arritur një të ardhme më të mirë. Objektivat kanë synimin kryesor për t’i dhënë fund varfërisë dhe privimeve të tjera, përmes zhvillimeve dhe ndërmarrjen e veprimeve strategjike që përmirësojnë shëndetin, arsimin, zvogëlojnë pabarazinë dhe nxisin rritjen ekonomike.
Në shtator të vitit 2015, Shqipëria miratoi Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm së bashku me të gjitha shtetet e tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Platforma Jamvullnetar.al ju ofron një zgjidhje të thjeshtë për të kontribuar në arritjen e 17 Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në iniciativat që ju do të ndërmerrni. Kauza juaj mund të lidhet me njërën ose me disa prej tyre. Në këtë mënyrë do bëhet e mundur identifikimi i rezultateve tuaja në përputhje me standartet e OZHQ dhe ndikimin në përmirësim.
Ju mund të merrni pjesë në iniciativa vullnetare që organizohen nga vullnetarët lokalë ose mund të merrni pjesë drejtpërdrejt në krijimin e iniciativës suaj për komunitetin tuaj. Për shembull: Anëtarësimi në një ngjarje vullnetare për mbledhjen e plehrave në një zonë të caktuar, ose pjesëmarrja në një projekt të shkollës së komunitetit gjithashtu mbështet qëndrueshmërinë në komunitetin tuaj lokal.