“Jamvullnetar.al”, një platformë unike dedikuar nismave vullnetare

Screenshot_-i-platformes-Jamvullnetar.al-

Komuniteti dhe vullnetarët në Durrës kanë tashmë një platformë e cila synon të nxisi angazhimin e tyre dhe ndërlidhjen midis nismave që kanë në fokus vullnetarizmin.

“Jamvullnetar.al” është një platformë komunitare që ka në thelb interaktivitetin, duke publikuar nismat e aktivistëve në qytetin e Durrësit dhe profilet e tyre.

“Regjistrimi në faqe është shumë i thjeshtë, si për individët edhe për organizatat. Pasi shkon tek butoni i regjistrimit vendos të dhënat personale dhe krijon llogarinë tënde”, u shpreh Asdren Cakiqi, krijuesi i platformës.

“Pasi një vullnetar regjistrohet mundet të publikojë iniciativat, raportin e iniciativave të veta dhe ngjarjet që ka organizuar”, shtoi ai.

Mundësinë e regjistrimit “online” e kanë të gjithë vullnetarët mbi 14 vjeç, të cilët mjafton të krijojnë llogarinë e tyre, duke vendosur të dhënat personale.

Më pas ata mund të ndajnë eksperiencën e tyre në vullnetarizëm dhe të ndërmarrin iniciativa të reja. Pasi ato publikohen në faqe mund t’i bashkohen anëtarët e komunitetit që e ndjekin platformën “Jamvullnetar.al”, duke u informuar më pas edhe për rezultatet e nismës.

Platforma synon edhe të krijojë një bazë të dhënash në nivel lokal për vullnetarët që angazhohen për përmirësimin e jetës në komunitet. Duke pasur në fokus bashkimin e individëve që ndajnë të njëjtat vlera dhe qasje ndaj aktivizmit.

Angazhimi për komunitetin synon përmirësimin e gjendjes aktuale dhe kontributin në plotësimin e 17 Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ), të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më 25 shtator 2015.

Zhvillimi i Qëndrueshëm është një proces shoqëror që integron objektivat sociale, ekonomike dhe mjedisore për të përmbushur nevojat aktuale të shoqërisë, pa kompromentuar nevojat e brezave të ardhshëm.

OZHQ-të janë plani i krijuar për të trajtuar sfidat globale dhe për të arritur një të ardhme më të mirë, me synimin kryesor për t’i dhënë fund varfërisë dhe privimeve të tjera, përmes zhvillimeve dhe ndërmarrjen e veprimeve strategjike që përmirësojnë shëndetin, arsimin, zvogëlojnë pabarazinë dhe nxisin rritjen ekonomike.  

Përmes platformës “Jamvullnetar.al” kauza e vullnetarëve mund të lidhet me njërën ose me disa prej Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Aktivistët e angazhuar deri më tani kanë iniciuar një sërë aktivitetesh, si në Ditën e Tokës, ku dhjetra të rinj në Durrës dhe organizata zhvilluan një pedalim me karakter sensibilizues për kujdesin ndaj mjedisit.

Ata gjithashtu rikujtuan 2 prej krizave më të mëdha natyrore për Durrësin dekadat e fundit, tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia e COVID-19, duke i sjellë në një ekspozitë fotografike nga të rinjtë.

Ndërsa së fundmi përfundoi puna për muaralen që tashmë dekoron fasadën e një pallati të rindërtuar pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Vepra e artit është fryt i idesë për vullnetarizmin e të rinjve dhe bashkëpunimin në komunitet për ringritjen pas tërmetit.

Gjatë punës për krijimin e murales së quajtur “Unë jam vullnetar”, në pallatin përbri Bulevardit Dyrrah, Durrës. Foto Geri Emiri_ Media Amfora

Të rinjtë e angazhuar u nderuan me certifikatën si “Ambasador për Angazhimin e Komunitetit”, përmes Qendrës Durrësi Aktiv, e cila realizoi platformën dhe nismat në kuadër të programit “Reagimi i Mbrojtjes Sociale ndaj Tërmeteve (ESPR)”, një projekt i zbatuar nga PNUD Shqipëri dhe i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, Qeveria e Finlandës dhe Qeveria e Norvegjisë.

*Për më shumë ndiqni videon udhëzuese për tu njohur me formën e regjistrimit në platformën “jamvullnetar.al”.

Autor: Geri Emiri

Mirë se erdhët në