Çaste nga Durrësi pas tërmetit dhe pandemisë, sjellë në një ekspozitë fotografike

Dy prej krizave më të mëdha natyrore për Durrësin dekadat e fundit, tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia e COVID-19 u sollën në një ekspozitë fotografike nga të rinjtë, duke synuar të nxisin edhe reflektimin 2 vite pas ndodhive.

Të rinjtë e qytetit të Durrësit çelën mbrëmjen e së premtes një ekspozitë fotografike kushtuar jetës social-ekonomike dy vjet pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, e ndjekur edhe nga pandemia e COVID-19.

Fotot e shkrepura nga të rinjtë gjatë përditshmërisë shprehnin përvojat e tyre gjatë këtyre viteve sfiduese për qytetin, përballë 2 krizave natyrore.

“Janë fotografi të realizuara në terren dhe kemi synuar të sjellim një këndvështrim tjetër të qytetit”, shpjegon për Median Amfora, Griseld Hoxha, i cili ishte nismëtari i ekspozitës.

“Kemi luajtur me detajet në foto dhe me kompozimin, duke sjellë një miks fotografish, sa aktuale por edhe tematike”, përfundon Hoxha.

Ekspozita e titulluar “Jeta Urbane në Durrës”, solli në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia” 75 foto, të cilat ngjallën interesin e fotografëve të vjetër e të rinj të qytetit, por edhe të shumë banorëve të tjerë.

Livia Kreko dhe Griseld Hoxha gjatë çeljes së ekspozitës. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora

“Ne si Qendra Durrësi Aktiv në kuadër të mbështetjes nga PNUD Shqipëri kemi synuar që të nxisim të rinjtë në angazhimin komunitar nëpërmjet ndërmarrjes së nismave nga ana e tyre”, shpjegon Livia Kreko nga Qendra Durrësi Aktiv.

“Ne kemi mirëpritur propozimet e Klubi Rinor për Angazhim Komunitar (KRAK), të cilët dëshironin të transmetonin për qytetarët qytetin sipas këndvështrimit të tyre, duke e përcjellë përmes fotove”, shtoi Kreko.

Ekspozita solli këndvështrime të ndryshme të ndikimit në jetën e qytetarëve të tërmetit të nëntorit 2019 dhe pandemisë së COVID-19, duke synuar edhe të krijojë një ide më të plotë të transformimeve të sjella nga 2 fenomenet natyrore.


Të rinjtë pozuan në këndin e fotografisë me nismëtarin e ekspozitës, Griseld Hoxha. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora

Fotot e shkrepura nga 5 vullnetarë në Durrës u sollën në teknikën bardhezi, cila tërhoqi edhe vëmendjen e grupeve të turistëve të huaj të cilët po vizitojnë qytetin këto ditë. Ekspozitës ju bashkua edhe 1 vullnetar nga Shijaku, i cili solli në foto ndikimet e tërmetit në qytezën e Shqipërisë së Mesme.

“Fotografitë janë konvertuar në bardhezi për të sjell një mesazh më emocionues, duke i sjellë më pranë njerëzve emocionet që foto synon të përcjellë dhe të jetë audienca ajo e cila i jep kuptim dhe ngjyra fotos”, komentoi për mesazhin e ekspozitës fotografi Griseld Hoxha.

Ekspozita e cila fton vizitorët të pozojnë në një kënd dedikuar aparatit fotografik do të qëndrojë e hapur nga data 20 deri në 28 maj, në oraret 09:00-13:00 dhe 13:00-19:00.


Të rinjtë e qytetit të Durrësit çelën mbrëmjen e së premtes një ekspozitë fotografike kushtuar jetës social-ekonomike dy vjet pas krizave natyrore. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora

“Bashkia Durrës është përfituese nga programi ESPR dhe kemi bashkëpunuar për organizimin dhe logjistikën e ekspozitës”, përfundoi Livia Kreko, nga Qendra Durrësi Aktiv

Ky shkrim synon njohjen me angazhimin e të rinjve dhe reagimin pas fatkeqësive natyrore. Ai u përgatit me mbështetjen e Qendrës Durrësi Aktiv, në kuadër të projektit “Angazhimi i vullnetarëve të rinj në aktivizimin e komunitetit dhe reagimit ndaj fatkeqësive”, si pjesë e programit të “Reagimit të Mbrojtjes Sociale ndaj Tërmeteve” (ESPR), një projekt i zbatuar nga UNDP Albania dhe i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, Qeveria e Finlandës dhe Qeveria e Norvegjisë. Mendimet dhe opinionet e shprehura në artikull i përkasin autorit dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e donatorit.

Foto në krye: Të rinjtë e qytetit të Durrësit çelën mbrëmjen e së premtes një ekspozitë fotografike kushtuar jetës social-ekonomike dy vjet pas tërmetit të nëntorit 2019 dhe pandemisë së COVID-19. Autor: Geri Emiri/ Media Amfora.

Mirë se erdhët në